Nëse martohesh i ri dhe bën fëmijë, do të paguhesh. Nëse do të ishte tregti, do ta vendosnin kështu. Kjo u propozohet nga administrata e një qarku kinez për vajzat nën moshën 25 vjeç. Arsyeja, sepse rënia e natalitetit është bërë problem edhe në ato anë.
Dhe kështu administrata ofron shpërblime për vajzat e reja në përpjekje për të inkurajuar lindjet e reja.
Çiftet që martohen ndërsa nusja është 25 vjeç ose më e re do të marrin një shpërblim prej 1000 juanë (rreth 127 euro), nga zyrat e qarkut të Changshan në provincën lindore Zhejiang.
Nxitja është e kufizuar për çiftet që martohen për herë të parë dhe synon të promovojë “martesën dhe shtatzëninë e përshtatshme për moshën”, thuhet në njoftimin publik. Qarku njoftoi gjithashtu subvencione të tjera për të ndihmuar prindërit me kujdesin ndaj fëmijëve, arsimimin dhe fertilitetin.
Popullsia e Kinës ra vitin e kaluar për herë të parë në gjashtë dekada. Është një sinjal që autoritetet nuk e nënvlerësojnë.
Pas heqjes së “politikës së një fëmije” që mbretëroi nga fundi i viteve 1970 deri në vitin 2016, dhe që ishte krijuar për të parandaluar rritjen e shpejtë të popullsisë së Kinës, gjërat po ndryshojnë drejtim. Që nga viti 2021, çiftet lejohen të kenë deri në tre fëmijë. Por kjo nuk mjaftoi.
Qendra Kërkimore për Popullsinë dhe Zhvillimin e Kinës, një institucion i mbështetur nga qeveria, tha se numri i fëmijëve për grua në Kinë është më i ulëti midis vendeve me popullsi mbi 100 milionë.
Numri i martesave vitin e kaluar ishte më i ulëti që nga viti 1986 dhe mosha mesatare e martesës së parë në Kinë është rritur shumë vitet e fundit, duke arritur në më shumë se 29 për burrat dhe gati 28 për gratë në vitin 2020. Mosha ligjore e martesës në Kina është 22 për burrat dhe 20 për gratë.