August 20, 2023

Ilir Beqaj reagon për koncesionin e sterilizimit: Solli ndryshime në kirurgji

1 year ago

Ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka reaguar lidhur me hetimet për koncesionin e sterilizimit, për të cilën janë arrestuar ish zv/ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.

Në një postim të gjatë në Facebook, Beqaj argumenton se përse ishte i nevojshëm ky partneritet, ndërsa thekson se shërbimi i sterilizimit ka ndryshuar kirurgjinë në vend.

Sipas Beqajt, vendimi që sterilizimi në QSUT do të kryhej jashtë sallave të operacionit ishte marrë para se ai të bëhej ministër në vitin 2013, ndërsa shton se në spitalin e ri ishte lënë në katet nëntokë një mjedis për të instaluar një central, ndërsa po prej disa vitesh ishte blerë një central.

Nuk ishte inauguruar sepse të inaugurohet do të thotë të fillojë punë. Nuk ishte vënë ndonjë herë në punë dhe në shtator 2013 pajisjet kishin dalë edhe nga periudha e garancisë”, shkruan Beqaj.

Megjithatë, sipas tij, kjo kontratë linte shumë pikëpyetje, duke filluar me transportimi e instrumenteve të sterilizuar. Beqaj shton se për këtë arsye ishte i nevojshëm një operator i vetëm, ndërsa thekson se në vitin 2014 nuk i ishin as dijet dhe as paratë për ta bërë vetëm një sipërmarrje të tillë.

“Meqenëse se po thuhet se centrali i sterlizimit i plotëson të gjitha nevojat e Shqipërisë, kush dhe me se do i transportonte instrumentet e sterlizuar për tek spitali i Durrësit, Fierit, Shkodrës, Korçës, Sarandës, Vlorës, Elbasanit etj, etj. Kush do i sillte dhe me se do i sillte përsëri në central për t’u sterilizuar rishtaz. Kush do i përballonte shpenzimet e këtij sterilizimi dhe transporti? QSUT për të gjithë Shqipërinë? Sa duhet të paguanin spitalet e tjera për këtë shërbim? Spitalet në Shqipëri nuk janë realitete ekonomikë që ofrojnë shërbime për spitale të tjerë.

Prandaj ishte  e nevojshme një Operator i vetëm. Në vitin 2014 nuk i kishim as dijet, as njohuritë dhe as paratë për ta bërë vetëm një sipërmarrje të tillë. Në vitin 2014 qëllimi  kryesor ishte ndalimi i rrënimit të asaj çfarë gjetëm dhe shlyerja e 40 milionë USD borxhe të trashëguara nga qeverisja e mëparshme”, shkruan ish-ministri.

Beqaj pranon se ka njohje me biznesmenët Ilir Rrapaj dhe ortakun e tij Umbro Staçini, pronarë të shoqërive “Investital L.l.c dhe Servizi Italia S.p.a dhe Tecnosanimed S.r.l dhe U.Jet S.r.l, por shton se nuk ka ndonjë “miqësi të veçantë” me ta dhe se njohjet kanë qenë në kuadër të punës.

Nga ana tjetër, ai mohon të ketë njohje me Admir Dacaën, administrator i shoqërisë koncesionare “Sani Service”, teksa thotë se të fluturosh në të njëjtin avion “nuk është indicie për fajësi”.

Në lidhje me koncesionin e sterilizimit u lëshuan 8 urdhërarreste për biznesmenë, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë. Ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, i lënë në “arrest në burg”, akuzohet për veprën penale “Falsifikim i dokumentave”, ndërsa biznesmeni Ilir Rrapaj, po ashtu me masë sigurie “arrest në burg”, akuzohet për “Mashtrim”.

Shefi i Kirurgjisë në QSUT, Arben Gjata, Naile Ajazi, Genc Burazeri dhe Pertef Mersini, të lënë në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, akuzohen për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”. Ndërkohë, ndaj Saimir Kadiut, drejtor ekonomik, dhe Marsela Serjanajt, drejtoreshë juridike, të lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, rëndojnë dy akuzat “falsifikim i dokumenteve” dhe “shpërdorim detyre”.

Postimi i plotë:

Prej disa ditësh opinioni publik e ka vëmendjen kryesore te e ashtuquajtura afere e “sterilizimit”. Duke qenë se çështja është ende në hetim e gjykim nuk e parë të udhës të shprehem publikisht. Aq më tepër që kam marrë vesh nga media që gjyqtari ka kërkuar që të hetohem edhe unë.  Por për çfarë po i ofrohet publikut ndjej se duhet informoj për disa gjëra që në fakt janë përsëritje të atyre gjërave që kam thënë në publik në vite. Nuk është fjala për një koncesion. Nuk është një drejtë apo e mirë publike që iu dha një privati për ta shfrytëzuar për të bërë biznes për qëllime të tij.

Është një patneritet publik – privat ku një operator privat (në këtë rast një bashkim operatorësh privatë) kontrakohet që të ofrojë një shërbim që shteti duhet ta kryejë për qytetarët e vet.

Kontrata nuk përbën thjesht dhe vetëm vënien në punë të një centrali sterilzimi në QSUT. Kontrata i kërkon një operatori privat që për të gjithë sallat operatore në Shqipëri ku shërbejnë çdo ditë rreth 430 kirurgë të ofrohet për çdo ndërhyrje kirurgjikale një set instrumentesh kirurgjikalë i personalizuar sipas asaj klase dhe tipi ndërhyrje kirurgjikale STERILË, një set me veshje njëpërdorimësh të tipit TNT për shtratin operator dhe trupën mjekësore, dezinfektimi i sallës së operacionit dhe trajtimi i mbetjeve të rrezikshme që krijohen nga veshjet që përdoren dhe përpunimi i tyre në mbetje urbane të parrezikshme. I janë dhënë një operatori të vetëm për të patur vetëm një PËREGJEGJËS për rrezikun e infeksionit spitalor.

Zbatimi i suksesshëm i kësaj kontrate në vite ka sjellë që në sallat e kirurgjisë të spitaleve publike shqiptare të ulet ndjeshëm infeksioni spitalor dhe të ulet me të paktën 1,8 ditë ditë qëndrimi i një pacienti në spital.

Nuk është vetëm centrali i QSUT-së, por një rrjet centralesh që ka atë të QSUT-së si primar.

Kontrata ka furnizuar të gjithë kirurgjinë shqiptare me më shumë se 100 mijë instrumente kirurgjikal të rinj e modernë.

Në shtator 2013 kur unë kam marrë detyrën e Ministrit, vendimi që sterlizimi në QSUT do të kryhej jashtë sallave të operacionit ishte marrë prej vitesh. Në spitalin  e ri të ndërtuar në 2009 me konsulence të marrë nëpërmjet Bankës së Këshillit të Europës ishte lënë në katet nëntokë një mjedis për të instaluar një central, ndërsa po prej disa vitesh ishte blerë një central. Nuk ishte inauguruar sepse të inaugurohet do të thotë të fillojë punë. Nuk ishte vënë ndonjë herë në punë dhe në shtator 2013 pajisjet kishin dalë edhe nga periudha e garancisë.

Për zbatimin e kontratës kontraktori ka të punësuar rreth 250 vetë nga të cilat në centralin e QSUT-së janë vetëm 30 vetë. Kjo dëshmon se kontrata merr përsipër shumë më tepër sesa vënia në punë e centralit. Por përveç vënies në punë të centralit, nuk ishte parashikuar se si do të shkonin instrumenta sterilë nga godina e centralit në kirurgjinë pedriatrike, në neurokirurgji, kardiokirurgji, në kirurgjinë onokologjike etj. Për atje kalohet nga ambientet e jashtme QSUT. Kush do i transportonte dhe me se do i transportonte pa cenuar sterilitetin e instrumenteve kirurgjikalë. Kush do I kthente përsëri në central për t’i sterilizuar rishtaz.

Meqenëse se po thuhet se centrali i sterilizimit i QSUT i plotëson të gjitha nevojat e Shqipërisë, kush dhe me se do i transportonte instrumentet e sterlizuar për tek spitali I Traumës, tek secili nga dy maternitetet, tek spitali Shefqet Ndroqi. Kush do i sillte dhe me se do i sillte përsëri në central për t’u sterilizuar rishtaz. Nga zbatimi i kontratës rezulton se vetëm në QSUT, përdoren 935 kontenierë për instrumenta, 22 tavolina lëvizëse dhe 80 dollapë për depozitimin e kontejnerëve të set-eve pranë depozitave të çdo salle operatore. Në të gjithë vendin janë 3500 kontejnerë instrumentesh, 53 tavolina lëvizëse dhe 190 dollapë.

Meqenëse se po thuhet se centrali i sterlizimit i plotëson të gjitha nevojat e Shqipërisë, kush dhe me se do i transportonte instrumentat e sterlizuar për tek spitali i Durrësit, Fierit, Shkodrës, Korçës, Sarandës, Vlorës, Elbasanit etj, etj. Kush do i sillte dhe me se do i sillte përsëri në central për t’u sterilizuar rishtaz.

Kush do i përballonte shpenzimet e këtij sterilizimi dhe transporti? QSUT për të gjithë Shqipërinë? Sa duhet të paguanin spitalet e tjera për këtë shërbim? Spitalet në Shqipëri nuk janë realitete ekonomikë që ofrojnë shërbime për spitale të tjerë.

Prandaj ishte  e nevojshme një Operator i vetëm.

Në vitin 2014 nuk i kishim as dijet, as njohuritë dhe as paratë për ta bërë vetëm një sipërmarrje të tillë. Në vitin 2014 qëllimi  kryesor ishte ndalimi i rrënimit të asaj çfarë gjetëm dhe shlyerja e 40 milionë USD borxhe të trashëguara nga qeverisja e mëparshme.

Siç e thashë edhe më lart, janë të punësuar rreth 250 vetë. Vetëm shpenzimet e shpërblimit të tyre kushtojnë rreth 250 milionë lekë në vit. Dhe nëse shërbehen rreth 60 mijë operacione më vit, rezulton që vetëm shpenzime personeli për një ndërhyrje kirurgjikale janë rreth 4 mijë lek.

Megjithatë më mirë se vetë mjekët askush nuk e kupton çfarë ndryshimi ka sjellë ky shërbim në kirurgjinë shqiptare.

Në vijim janë dëshmitë e disa mjekëve të nderuar e të respektuar. I kërkoj ndjesë që po i përdor pa lejen  e tyre por gjenden  lirshëm nëse kërkon në Google. Po i ripostoj në vijim të këtij shënimi.

Dhe së fundmi diçka lidhur me udhëtimet e mija jashtë shtetit me “miqtë” e mi Umbro Staçini e Ilir Rrapaj. I njoh të dy. I kam njohur pasi jam bërë ministër dhe në zbatim të detyrës sime si ministër. Nuk kam zhvilluar ndonjë miqësi të veçantë. Gjatë kohës si ministër kam takuar e jam njohur me  siparmarrës të ndryshëm, të huaj dhe shqiptarë, dhe për nevoja pune kam firmosur kontrata me ta.

Të udhëtosh Tiranë – Romë apo Romë – Tiranë si dhe Tiranë – Vjenë apo Vjenë Tiranë është gjëja më normale nëse do të udhëtosh nga Tirana për në Europë apo për në botë. Këto janë rrugët ajrore të Shqipërisë (në atë kohë nuk ishte Ëizzair). Mund të qëlloj që në ato fluturime të jenë miq, shokë, kontraktorë, bashkëpunëtorë etj. Vetëm pse je në atë fluturim kjo nuk besoj se është indicia për fajësi.

Në shtator 2016 është e vërtetë se kam udhëtuar për në Vjenë. Sipas hetimit paska qenë edhe Admir Daca. Mundet. E kam njohur vetëm ditën që kam firmosur kontratën. Unë vetë kam fluturuar për në Vjenë për një vizitë pune në ANEA (Agjencia e Energjisë Atomike e Kombeve të Bashkuara). Bëni një kërkim “ilir beqaj në ANEA” në Google dhe ju del lajmi i asaj vizite. Pse kam qenë dhe me kë kam qenë. Por po e ripostoj.

Në maj 2017 nuk kam udhëtuar jashtë shtetit sepse kam qenë në qarkun e Dibrës në fushatë elektorale.

10 months ago

Cilat pika në Ballkanit Perëndimore janë më të ndjeshme ndaj ndikimit rus? Diskutimi lidhur me atë se sa mund të jetë i brishtë stabiliteti i këtij rajoni u nis javën e kaluar nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e më pas pretendimet e tij u mbështetën disa ditë më vonë nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës së tij të parë në Bosnje e Hercegovinë më 20 nëntor.

11 months ago

Viti 2023, ende pa u mbyllur, po rezulton si më i miri historik në turizëm, duke rritur optimizmin edhe për vitin 2024. Operatorët turistikë raportojnë për rritje me 35% të kontratave me garanci që i takojnë turizmit të organizuar për vitin tjetër. Zhvlerësimi i Euros dhe rritja e kostove kanë rritur çmimin e paketave të Shqipërisë me 15-25%, diçka që mund t’i stepë disi turistët që janë mësuar me çmime ekonomike.