September 25, 2023

Sulmi terrorist në Kosovë

1 year ago

Ngjarja e rëndë e ndodhur dje në Kosovë ku një njësit i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës duke vrarë një punonjës të saj e plagosur dy të tjerë ka ndezur tensionet në Veri të vendit. Incidenti ndodhi pasi Policia e Kosovës iu afrua dy automjeteve të blinduara pa targa që kishin bllokuar një urë në hyrje të fshatit Banjskë të Leposaviqit. Ky veprim i ka alarmuar personat që kishin krijuar këtë barrikadë e që me sa duket po mundoheshin të fshehin veprimet e tyre.

Menjëherë Policia është vënë nën zjarr ku ka ndodhur dhe vrasja.

Policia e Kosovës është organizuar dhe ka nisur kundër-reagimin. Sulmuesit janë tërhequr sipas raportimeve dhe jane strehuar brenda një manastiri ortodoks që administrohet nga Kisha Serbe, brenda fshatit Banjskë.

Policia ka ngritur rrethimin dhe ka vazhduar shkëmbimin e zjarrit për disa orë.

Kisha serbe ka deklaruar se nuk ka lidhje me grupin e armatosur që ka hyrë brenda manastirit të saj duke dashur të distancohet nga ngjarjet. Ajo ka bërë të ditur se brenda manastirit ndodhet paralelisht një grup prej 49 pelegrinësh besimtarë nga Novi Sadi i Serbisë, që kanë ardhur aty për lutje.

Operacioni i Policisë vazhdon dhe raportohet fillimisht për një terrorist të vrarë, e më pas edhe për dy të tjerë.

Përveç tre të neutralizuarve, Policia e Kosovës njoftoi se ka arritur ta kap dhe arrestojë njërin prej tyre, teksa për një tjetër ka njoftuar se është i plagosur.

Në dyshim për lidhje me këtë formacion të armatosur rëndë terrorist – që në orët e hershme ka vrarë një rreshter policor kosovar, Afrim Bunjakun – janë arrestuar edhe katër persona të tjerë të nacionalitetit serbë të cilët janë zënë në posedim të radiolidhjeve dhe janë dërguar në mbajtje.

Mediumi kosovar “Klan Kosova” ka raportuar se Njësia Speciale e Kosovës tashmë veçse ka depërtuar në vendndodhjen e këtyre forcave të armatosur dhe ka hyrë në Manastirin e Banjskës nga ku po operonin kjo bandë. Raportime të tjera (ende të pakonfirmuara) thonë se tashmë njësitet speciale “e kanë marrë nën kontroll” zonën rreth Manastirit.

Misioni paqeruajtës i NATO-s ka thënë se është duke vëzhguar për së afërmi ngjarjen teksa ka shtuar se është përgjegjësi e Policisë së Kosovës si reagues të parë të sigurisë të menaxhojnë me incidentin.

Por, thanë nga KFOR-i, mbetet të gatshëm të ndërhyjnë nëse u kërkohet.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se në ora 20:00 do të dalë në konferencë për media, siç kanë thënë nga zyra e tij, “për të demantuar gënjeshtrat e Kurtit”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkruar se “jemi të gjithë në krah të Policisë së Kosovës” teksa ka siguruar se “terroristët s’na zmbrapsin, por vetëm e forcojnë vendosmërinë tonë!”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar përmes ambasadorit Jeffrey Hovenier, duke e dënuar fuqishëm sulmin ndaj policisë kosovare teksa kanë thënë se këta të fundit kanë përgjegjësinë e plotë dhe legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit.

Ne e njohim dhe respektojmë rolin e saj si reagues i parë në situata emergjente dhe krize. Ne vlerësojmë koordinimin e vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), sipas rastit”, kanë reaguar nga ShBA:

Ne po e monitorojmë situatën nga afër dhe i dënojmë këto akte të dhunshme ndaj autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës. Autorët duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi dhe do të dalin para drejtësisë. Ata duhet të ndalojnë menjëherë sulmet e tyre”, ka thënë Hovenier.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa njoftoi pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare për ngjarjen e mëngjesit të hershëm të së dielës, tha se “faktet dhe të dhënat janë të atilla saqë askush nuk mund të mohojë rrezikun me të cilin përballemi”.

Një sulm i tillë ndaj vendit vjen 10 ditë pas kërcënimit të hapur të kriminelit famëkeq serb Millan Radojçiqit, i cili i reagoi Kurtit pas takimin në Bruksel se “koha do të tregojë kush do të vuajë dhe kush do të paguajë”.

Nuk bëhet fjalë për fshatarë, por për profesionistë që me maska uniforma dhe kalibra të rëndë, kanë ardhur të luftojnë në territorin e republikës sonë. Nuk e dimë nga janë as s’i kemi identifikuar, por organet tona po bëjnë vlerësimet e tyre”, tha Albin Kurti në konferencë për media.

Në orët e pasdites raportohet se Policia e Kosovës ka marrë në kontroll objektin e manastirit të Banjskës. Në brendësi të tij u gjendën sasi të konsiderueshme armatimi të depozituar, materiale luftarake e rezerva të mëdha ushqimore.

Një muaj më parë, kryetarja e komisionit të jashtëm të Parlamentit Britanik Alicia Kearns e kishte denoncuar Serbinë se po i armatos, radikalizon dhe instrumentalizon serbët e Kosovës, po i përdor kishat dhe manastiret si depo armatimi e po e kryen transportin ilegal të tyre edhe me autambulanca.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke iu drejtuar mbrëmë publikut për ngjarjet në Kosovë, ka deklaruar se nuk ka justifikim për vrasjen e policit shqiptar, por e ka përligjur sulmin me reagimin e serbëve të Kosovës ndaj asaj që ai e quan shtypje nga ana e qeverisë së Albin Kurtit. Ai ka folur nga pozitat e viktimës duke u ankuar se përse Adem Jashari që kundërshtonte shtetin e njohur ndërkombëtarisht të Serbisë quhet hero i lirisë, ndërsa serbët që kundërshtojnë vrasjet e fëmijëve serbë nga qeveria Kurti, quhen terroristë.

Pas fjalimit të presidentit, gazetari i N1 pyeti nëse ka ndonjë informacion për sulmuesit që vranë policin e Kosovës dhe se uniformat e kujt i kishin veshur dhe nga i kishin marrë ato.

Vuçiç u përgjigj se pyetja e gazetarit ishte një insinuatë se Serbia ka siguruar armë dhe uniforma dhe “si e ka fajin Serbia”.

“Këto nuk janë uniforma të ushtrisë dhe policisë serbe. Ato blihen kudo në treg dhe mund të merren kudo, ashtu si armët”, ka theksuar Vuçiç.

10 months ago

Cilat pika në Ballkanit Perëndimore janë më të ndjeshme ndaj ndikimit rus? Diskutimi lidhur me atë se sa mund të jetë i brishtë stabiliteti i këtij rajoni u nis javën e kaluar nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e më pas pretendimet e tij u mbështetën disa ditë më vonë nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës së tij të parë në Bosnje e Hercegovinë më 20 nëntor.

11 months ago

Viti 2023, ende pa u mbyllur, po rezulton si më i miri historik në turizëm, duke rritur optimizmin edhe për vitin 2024. Operatorët turistikë raportojnë për rritje me 35% të kontratave me garanci që i takojnë turizmit të organizuar për vitin tjetër. Zhvlerësimi i Euros dhe rritja e kostove kanë rritur çmimin e paketave të Shqipërisë me 15-25%, diçka që mund t’i stepë disi turistët që janë mësuar me çmime ekonomike.